Secondary Adv

Rregulla te reja per ofruesit e sherbimeve ne turizem, ja ndryshimet ligjore

Në prag të sezonit turistik veror, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit ka vendosur rregulla të reja për subjektet që ofrojnë shërbime për pushuesit.

 

Në Fletoren Zyrtare janë publikuar ndryshimet në ligjin për turizmin, me qëllim kryesor përshtatjen me dinamikat e reja dhe vizionin e qeverisë për zhvillimin e turizmit në 2024-ën.

 

Ndryshimet ligjore parashikojnë rregullimin e veprimtarisë së subjekteve të strukturave akomoduese, stacioneve të plazhit dhe operatorëve turistikë, për arritjen e një standardi më të lartë në ofrimin e shërbimeve.

 

Për marrjen e statusit “Investitor në një strukturë akomoduese me 4 ose 5 yje në Shqipëri”, duhet që subjektet të mos jenë të certifikuar nga institucioni përgjegjës, por mjafton të plotësojnë kriteret dhe kushtet për t’u certifikuar në një moment të dytë.

 

Të gjithë sipërmarrësit e tjerë turistikë, që ushtrojnë veprimtarinë si strukturë akomoduese dhe nuk janë pajisur me certifikatë kategorizimi si apartament, vilë ose dhomë, penalizohen me gjobë deri në 400 mijë lekë bazuar në numrin e dhomave.

 

Ministria përgjegjëse për turizmin, në bashkëpunim me ministrinë për arsimin, po synon të nxisë edukimin profesional në fushën e turizmit, me qëllim ruajtjen e standardeve dhe përmirësimin e shërbimit të ofruar nga sektori i turizmit.

 

Për këtë arsye, është vendosur që të hiqet kriteri i diplomës universitare për t’u certifikuar si operator turistik, mjafton që individi të ketë përfunduar shkollën e mesme profesionale.

 

Ndërsa për personat që punojnë në agjencitë e udhëtimit, është përcaktuar vetëm kriteri i arsimit të mesëm.

 

Subjektet që ushtrojnë veprimtarinë e stacionit të plazhit kanë detyrimin të mirëmbajnë dhe të parandalojnë ndotjen e hapësirës së plazhit që kanë marrë në përdorim dhe të garantojnë kushtet e sigurisë së shëndetit.

 

Ushtrimi i veprimtarisë si stacion plazhi jashtë sipërfaqes së përcaktuar në kontratë, penalizohet me 150 000 lekë gjobë dhe ndotja e hapësirës së stacionit të plazhit me 200 000 lekë.

 

Shqipëria priti rreth 10.1 milionë vizitorë të huaj gjatë viti të shkuar, ndërsa objektivat e qeverisë për këtë vit janë për rreth 14 milionë turistë duke pasur në fokus zhvillimin e turizmit elitar.

 

Vetëm për tre muajt e parë të vitit 2024, shifrat flasin për 1,7 milionë turistë, ose 60% më shumë flukse hyrëse krahasuar me tremujorin e një viti më parë./Burimi: SCAN


Më të lexuarat